Secondary Adv

Nafta shkon në 206 lekë për litër, rritja në Shqipëri dyfish më e shpejtë se në Europë

Çmimi i naftës në tregun shqiptar ka arritur në 206 lekë për litër, duke u rritur me 30 lekë brenda tri javëve. Sipas krahasimeve me tregjet europiane, ritmi i shtrenjtimit në Shqipëri ka qenë rreth dy herë më i lartë.

Çmimi i naftës në pikat e shitjes në Shqipëri ka shënuar një tjetër rritje të fortë, duke arritur në 206 lekë për litër, nga 196 lekë që ishte një ditë më parë. Sipas një vëzhgimi të Ekofin.al, vetëm gjatë tri javëve të fundit karburanti është shtrenjtuar me rreth 30 lekë për litër.


Kjo rritje vjen në një periudhë kur zhvillimet në tregun vendas nuk kanë ndjekur të njëjtën ecuri me bursat ndërkombëtare. Për pjesën më të madhe të javëve të fundit, çmimet e naftës bruto në tregjet botërore kanë qenë në rënie, ndërsa në Shqipëri kjo tendencë nuk është reflektuar në çmimet e pompave.


Rritja në Shqipëri rezulton dyfish më e lartë se në Europë

Vetëm në fund të javës së kaluar, pas ndryshimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare, çmimet e naftës nisën të rriteshin edhe në shumicën e vendeve europiane. Megjithatë, ritmi i shtrenjtimit ka qenë dukshëm më i moderuar krahasuar me tregun shqiptar.


Sipas krahasimeve me tregjet europiane, gjatë tri javëve të fundit çmimi i naftës në pompë është rritur mesatarisht me rreth 16 eurocent për litër në Europë. Në Shqipëri, në të njëjtën periudhë, rritja arrin në rreth 32 eurocent për litër, ose afërsisht dyfish më shumë.


Rikthehen debatet për mënyrën e formimit të çmimeve

Ecuria e fundit ka rikthyer diskutimet mbi mekanizmin e formimit të çmimeve të karburanteve në tregun shqiptar dhe shpejtësinë me të cilën reflektohen lëvizjet e tregjeve ndërkombëtare.


Sipas vëzhgimit të Ekofin.al, uljet e çmimeve të naftës bruto shpesh nuk pasqyrohen në çmimet me pakicë, ndërsa rritjet transmetohen pothuajse menjëherë te konsumatori final.


Gazi mbetet jashtë monitorimit të çmimeve

Edhe tregu i gazit të lëngshëm (LPG) vijon të ngrejë shqetësime. Ndryshe nga nafta dhe benzina, çmimi i këtij produkti historikisht nuk ka qenë pjesë e një mekanizmi efektiv monitorimi.


Edhe gjatë periudhës kur funksiononte Bordi i Transparencës, nuk u morën vendime për përcaktimin ose kufizimin e çmimit të gazit, duke u lënë operatorëve liri të plotë në përcaktimin e politikave të tyre tregtare.


Aktualisht, gazi i lëngshëm tregtohet me rreth 69 lekë për litër, ndërsa mungesa e një mekanizmi transparent për monitorimin e çmimeve vazhdon të ngrejë pikëpyetje për konsumatorët dhe bizneset që e përdorin këtë karburant.


Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat